Informacione  /  Lajme  /  Zëvendëskryeministri Lika takon ambasadorin e Francës, z. Christian Thimonier

Zëvendëskryeministri Lika takon ambasadorin e Francës, z. Christian Thimonier

 

 Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, z. Hazbi Lika, sot (27.06.2017) u takua me ambasadorin e Francës në vendin tonë, z. Christian Thimonier.

Ndryshimet në pushtetin e Republikës së Maqedonisë dhe perspektiva e Marrëveshjes së Ohrit me këtë qeverisje aktuale, kanë  qenë ndër temat kryesore në këtë takim të parë në mes ambasadorit Thimonier dhe zëvendëskryeministrit Lika. Duke marrë parasysh dinamikën e deritanishme të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, bashkëbiseduesit konstatuan se zbatimi i kësaj Marrëveshjeje ka hasur në vështirësi dhe tejzgjatja në kohë ka krijuar vakum në ndërtimin e mirëfilltë të raporteve mes komuniteteve, andaj u dakorduan që duhet të ketë një qasje më konkrete në zbatimin e plotë të këtij dokumenti.  

Zëvendëskryeministri Lika duke e marrë për bazë Analizën e Marrëveshjes së Ohrit për kohezion social, theksoi se ka patur progres në disa shtylla si decentralizimi dhe përfaqësimi i drejtë. Mirëpo, sipas tij, çështja e përdorimit të gjuhëve vazhdon të jetë temë e hapur dhe sipas marrëveshjes për koalicionim duhet të miratohet ligj në bazë të prioriteteve dhe reformave që parashihen nga kjo qeveri.

Ndërkaq ambasadori Thimonier e uroi  z. Lika për zgjedhjen e tij në postin e zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht shprehu gatishmëri për mbështetje të plotë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Ambasadori francez tha se Marrëveshja e Ohrit është bazë e krijimit të një shoqërie të barabartë dhe zbatimi i këtij dokumenti është shumë i rëndësishëm në hapërimin e vendit drejt familjes evropiane. Duke folur për shumë çështje aktuale, ambasadori theksoi mes tjerash se qeveria e re duhet të angazhohet në çështjen e  përfaqësimit të drejtë, me realizimin e të cilës, shteti do të ketë një pasqyrë më të qartë për të inicuar hapa për balancim të bashkësive etnike dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të shoqërisë multietnike.

 

Me respekt,

Sektori për marrëdhënie me opinionin

 

27.06.2017 , 15:03 Reads:738