Informacione  /  Lajme  /  Zëvendëskryeministri z. Lika realizon takim me përfaqësues të mediave

Zëvendëskryeministri z. Lika realizon takim me përfaqësues të mediave

 

 Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika, në hapësirat e Qeverisë realizoi brifing me përfaqësuesit e mediave për të bashkëbiseduar dhe shpalosur të dhëna rreth temave më aktuale në vend.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Lika prezantoi buxhetin dhe projektet e parapara për vitin 2018,  duke theksuar se numri i projekteve në vendbanimet shqiptare është trefishuar, që nënkupton ndarje proporcionale të buxhetit të Republikës së Maqedonisë. Ai prezentoi projektet e parapara në pjesën e investimeve kapitale në sferën e arsimit, kulturës, infrastrukturës rrugore, shëndetësisë, ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor si dhe në sferat të tjera.

Në vazhdimësi, z. Lika  theksoi se nën përkujdesjen e tij do të shënohet 109 vjetori i Kongresit të Manastirit me një sërë aktivitetesh. Ngjarjet kryesore për shënimin e kësaj date të rëndësishme për kombin shqiptar do të mbahet në Shkup dhe në Manastir.

“Më 22 nëntor, në mënyre institucionale në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë,  do të mbahet një pritje solemne për doajenët e arsimit  dhe gjatë ditës të 22-shit do të vizitojmë edhe Muzeun e Alfabetit në Manastir. Në mbrëmen e kësaj date në Shtëpinë e Kulturës  po në këtë qytet do të mbahet edhe koncerti  solemn që tradicionalisht organizohet me rastin e 22 Nëntorit.”, shtoi ai.

Paralelisht z. Lika prezantoi se më 21 nëntor, në  prani të personaliteteve të larta dhe në bashkëpunim më ITKSHSH, në Manastir  është paraparë  të mbahet Tribunë shkencore kushtuar Alfabetit të gjuhës shqipe, konkluzat e së cilës do të shpalosen në Muzeun e Alfabetit në ditet në vazhdim. Po në qytetin e Manastirit , do të hapet një koloni artistësh dhe do të organizohet një ekspozitë e cila do të jetë e ekspozuar në Muzeun e  Alfabetit.

Së fundmi, zëvendëskryeministri Lika informoi së është paraparë edhe rikonstruktimi i Muzeut të Alfabetit në Manastir si dhe kthimi në tërësi i pronës së këtij Muzeu, që përmban vlera të mëdha kombëtare.


Me respekt,

Sektori për marrëdhënie me opinionin

 

 

 

 

11.11.2017 , 11:59 Reads:42