Informacione  /  Lajme  /  Takimi Lika – Kobler: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është obligim shtetëror

Takimi Lika – Kobler: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është obligim shtetëror

 

 Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, z. Hazbi Lika, sot (29.06.2017) u takua me ambasadoren e Austrisë në vendin tonë, znj. Renate Kobler. Struktura e re qeveritare dhe prioritetet që parashikon kjo qeverisje ishin fokus i kësaj bisede të parë të realizuar mes zëvendëskryeministrit Lika dhe ambasadores austriake znj. Kobler.

 
Respektimi i normave që dalin nga Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë prioritet edhe i palës maqedone, meqë mosrespektimi i këtij dokumenti paqësor rezulton drejtprëdrejt në moszbatimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, theksoi zëvendëskryeministri Lika. Vullneti pozitiv i këtij koalicioni, shtoi ai, duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të realizuar çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, e cila është prioritet i joni. Miratimi i ligjit të gjuhës dhe implementimi i detyrueshëm i tij, do të jetë në favor të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
 
Ndërkaq ambasadorja znj. Kobler theksoi se Austria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e denjë e komunitetit shqiptar dhe Republikës së Maqedonisë. Ambasadorja austriake tha se punohet vazhdimisht në sferën e tërheqjes së investimeve austriake në Maqedoni, me qëllim që të arrihet një rimëkëmbje me stabile ekonomike, si dhe në mbështetjen e tyre për anëtarësim të shtetit sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike.
 
Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin
 
 

 

29.06.2017 , 17:26 Reads:330