Informacione  /  Lajme  /  Zëvendëskryeministri Lika realizon takim me Zyrtarin e Lartë për Byron e Operacioneve të Konflikteve dhe Stabilizimit

Zëvendëskryeministri Lika realizon takim me Zyrtarin e Lartë për Byron e Operacioneve të Konflikteve dhe Stabilizimit

 

 Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika sëbashku me Sekretarin shtetëror, z. Faton Ahmeti, sot (17.07.2018) realizuan takim pune me z. Pete Maroko, Zëvendës Ndihmës Sekretar dhe Zyrtar i Lartë për Byronë e Operacioneve të Konflikteve dhe Stabilizimit si dhe delegacionin e tij shoqërues në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

 
Fillimisht zëvendëskryeministri Lika informoi z. Maroko për situatën aktuale të proceseve qeveritare në shtet dhe hapave të ndërmarra në sferën e konsolidimit dhe harmonizimit të interesave të komuniteteve brenda shtetit. “Falë platformave dhe bashkëpunimeve kemi aritur të instalojmë një demokraci më të mirëfilltë e cila na frymëzon të vazhdojmë këmbënguljen për të ndjekur qëllimet tona drejt NATO dhe BE”- tha z. Lika.
 
Në kontekstin e arritjeve me aktuale në rrugën euroatlantike, z. Maroko përgëzoi marrëveshjen e emrit me Greqinë, duke potencuar se Republika e Maqedonisë ka shërbyer si shembull i guximit dhe kreativitetit në rajon. Njëherit ai shprehu rëndësinë e synimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe falenderoi z. Lika për durimin dhe ballafaqimin me faktorët rrënues gjatë këtij procesi kompleks për shtetin.
 
Paralelisht, bashkëbiseduesit diskutuan rreth identifikimit dhe mënjanimit të faktorëve destruktiv në procesin e përforcimit të shoqërisë multietnike dhe në ecurinë e procesit të eurointegrimeve.
 
Në këtë aspekt, z. Lika theksoi se do të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e mirëfilltë të parimeve të MO-së dhe njëherit falenderoi z. Maroko për përkrahjet e kahmotshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë qenë vendimtare në sigurimin e barazisë midis komuniteve në Republikën e Maqedonisë.

 

17.07.2018 , 15:02 Reads:409