Informacione  /  Lajme  /  Zëvendëskryeministri Lika takon ambasadorin e SHBA-ve, z. Baily

Zëvendëskryeministri Lika takon ambasadorin e SHBA-ve, z. Baily

 

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika, sot (26.07.2017) në hapësirat e Qeverisë së RM-së realizoi takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Jess Baily.

Në këtë takim, z. Lika dhe ambasadori z. Baily, theks të veçantë i kushtuan reformave progresive që qeveria duhet të ndërmarrë në kontekstin e transparencës së administratës shtetërore. Depolitizimi dhe transparenca e saj, shtuan ata,  janë thelbësore për arritje të një niveli më të lartë të efikasitetit dhe profesionalizmit në një administratë shtetërore. Paralelisht,  zëvendëskryeministri shtoi se, Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në koordinim me institucionet të tjera shtetërore, ka ndërmarrë hapa konkrete për sistematizimin sa më të shpejtë të administratorëve shtetërorë, me çka do të krijohet një atmosferë pozitive në kontekstin e kohezionit social.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Lika informoi ambasadorin rreth procesit të miratimit të ligjit të gjuhës shqipe, ligj i cili pritet të kalojë  në Qeveri dhe njëkohësisht të dorëzohet në Kuvend të RM-së dhe në Komisionin e Venedikut.

Miratimi i këtij ligji dhe bashkimi i forcave mes të gjithë etniciteteve në Republikën e Maqedonisë, do të na ndihmojë në harmonizimin e qëndrimeve në planin e eurointegrimeve, gjë që do lehtësojë përballimin e konkurrencës në rajon dhe ngritjen e standardit të jetesës, tha z. Lika.

Së fundmi,  bashkëbiseduesit shprehën pritjet e sinqerta për thellimin e bashkëpunimit mes RM-së dhe SHBA-ve, me çka do të të ketë përfitime dypalëshe.

Me respekt,

Sektori për marrëdhënie me opinionin

 

26.07.2017 , 16:37 Reads:181