Informacione  /  Lajme  /  Me rastin e shënimit të 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit u mbajt Koncert Solemn

Me rastin e shënimit të 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit u mbajt Koncert Solemn

 
Me rastin e shënimit të 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit, nën përkujdesjen e zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë z. Hazbi Lika , në Manastir u mbajt Koncert Solemn nën tingujt e Filharmonisë së Universitetit të Arteve – Tiranë.
 
Pjesëmarrës në këtë evenimet festiv për nder të Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, ishin edhe Kryeministri i RM-së, z. Zaev, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, Kryetari I BDI-së, z. Ali Ahmeti, Ministri I Kulturës të RM-së, Kryetarja e Komunës së Manastirit, Kryetarja e Komunës së Tetovës, si dhe shumë personalitete të tjera të larta shtetërore.
 
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, zëvendëskryeministri Lika tha se e kremtojmë këtë ditë që ngërthen në vetevete sakrificat dhe mençurinë e shumë gjeneratave, para e pas nëntorit të vitit 1908. E kremtojmë sëbashku, aty ku lindi Alfabeti, aty ku u hap një kapitull i ri për zhvillimin e gjuhës sonë të bukur, letërsisë dhe kulturës.
 
“Roli vizionar i Kongresit të Manastirit dhe delegatëve të tij vjen sidomos në shprehje, nëse merren parasysh rrethanat historike. 1908-ta ishte një vit kur një perandori e madhe shembej, ndërsa vizioni i përkohshëm për liri e barazi që e solli Revolucioni Xhonturk filloi të zbehej shpejtë - qoftë nga vetë kaosi në politikën e brendshme, qoftë nga ëndrrat për perandori të mëdha të elitave të papërgjegjshme politike.Mu në këto kohëra përplot sfida e rreziqe, në vigjilje të nismës për kryengritjen që solli pavarësinë e Shqipërisë, Alfabeti u bë një instrument i fuqishëm, për vetëdijesim kombëtar, për bashkim të mbarë forcave progresive të cilat synonin lirinë dhe pavarësinë. Alfabeti shërbeu si një shtyllë gravitacioni, rreth të cilës filluan të gravitojnë të gjithë ata që i deshën të mirën popullit të vet.” – theksoi z. Lika.
 
Në vazhdimësi ai tha se:
 
“Maqedonia, e ka privilegjin të ketë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë ku mund të kultivojë dhe promovojë shembullin e bashkëpunimit, tolerancës dhe të respektimit. Sot jemi më mirë sepse, kemi shtete, institucione, kapacitete dhe mundësi të mjaftueshme dhe
sidomos një demokraci në zhvillim e sipër e cila na e bën më të lehtë punën për interesa tonat të përbashkëta. Caqet mund t’i arrijmë vetëm duke shtuar bashkëpunimin dhe duke njohur vlerat kulturore e gjuhësore të njeri tjetrit, si pasuri e një koloriti ngjyrash, të cilat do na shërbejnë për të thelluar edhe më shumë besimin e ndërsjelltë. Mund të them se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, duke u bazuar në të gjitha këto që u thanë më lartë, është e vendosur që të punojë për një të ardhme ku të gjithë do ndjehen të barabartë, dhe për këtë ka vepruar edhe konkretisht kur vendosi që Parlamentit të Republikës së Maqedonisë t’i propozojë projektligjin për përdorimin e gjuhëve i cili në këtë moment që po flasim është në procedurë parlamentare dhe besoj që deputetet së shpejti do ta miratojnë. Besoj se kjo qasje do vazhdojë të mbretërojë edhe më tutje duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe duke premtuar për një të ardhme më të sigurtë. “
 
Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin
 
 
 

 

23.11.2017 , 15:05 Reads:81