Informacione  /  Lajme  /  Përkrahje të plotë programit vjetor të Ministrisë së Kulturës

Përkrahje të plotë programit vjetor të Ministrisë së Kulturës

 

 Zëvendës Kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika, sot ka vazhduar me takimet e rregullta koordinuese me përfaqësuesit e ekzekutivit në përbërje të Ministrit të Mjedisit jetësor dhe Planifikimit hapësiror njëkohësisht edhe nënkryetar i BDI-së, z. Sadulla Duraku, Ministrit të Drejtësisë, z. Bilen Saliji, Ministrit të ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, Zv.ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Arber Ademi, Sekretarit shtetëror në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, z. Faton Ahmeti dhe Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z. Valmir Aziri.

 
Në këtë takim të rradhës, sekretari shtetëror, z. Valmir Aziri, para të pranishmëve shpalosi në detale programin vjetor të Ministrisë së Kulturës. Pas një debati gjithëpërfshirës ky program mori përkrahje të plotë nga zëvendëskryeministri, z. Lika dhe ministrat të pranishëm në takim.
 
Me këtë program të Ministrisë së Kulturës:
 krijohet Ansambli i këngëve dhe valleve burimore shqiptare
 përfundojnë punimet në Teatrin e Shkupit
 intensifikohen punimet dhe investimet në Teatrin e Tetovës
 katërfishohet ndarja buxhetore ndaj kulturës shqiptare
 krijohet Opera e parë shqiptare në Republikën e Maqedonisë
 për here të parë solisti i njohur Shkëlzen Doli do të performojë në Filharmoninë e RM-së
 
Viti 2018 është vit kur më ndërpriten investimet në projekte të dëmshme siç ishte ajo Shkupi 2014. Viti 2018 është vit ku Ministria e Kulturës eliminoi vellon e paqartësive dhe mostransparencës në sjelljen e programit në Ministrinë e Kulturës. Ky program zhvillimor dhe reformues që ka kryefjalë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe transparencën mbi të gjitha, tregon për frymën e re të qeverisjes me këtë Ministri të Kulturës. Kultura shqiptare këtë vit do të gjejë një përkrahje kuptimplotë për të gjithë projektet me vlera kulturore siç janë: Ditët e Naimit, Java e muzikës serioze shqiptare me tenorin e mirënjohur Josif Gjipali, Koncerti madhështor i xhezit, festivali i filmit TIF ODA në RM, Festivali ndërkombëtar i dramës nacionale në Teatrin e Tetovës, përkrahje të plotë të festivalit Këngë Jeho Strugë, përkujdesje dhe mbështetje për herë të parë institucionale për Teatrin e fëmijëve në Shkup, financim të plotë të programit të Institutit të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, mbështetje financiare për aktivitetet kulturore të Flakës së Janarit. Duke marrë parasysh përvjetorin jubilar të Alfabetit të gjuhës shqipe, Ministria e Kulturës ka paraparë përkrahje të plotë për aktivitetet rreth këtij viti jubilar. Ministria e Kulturës gjithashtu ka mbështetur projekte të tre Universiteteve shtetërore shqiptare në sektorë të ndryshëm të kulturës, në strategjinë e Ministrisë së Kulturës është disperzimi, demotropolizimi dhe decentralizimi i institucioneve dhe aktiviteteve kulturore, mbështetje të fuqishme shoqatave të reja, artistëve të rinj dhe një përkujdesje maksimale ndaj artistëve të pavarur.
 
Për të gjithë ata të cilët nuk e kanë gjetur veten në këtë program, ftohen që të bëjnë ankime deri në shkallën e dytë të Ministrisë së Kulturës. Ky program ofron bazë të shëndoshë për ngritjen, reformimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare.
 
Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin

 

 

21.02.2018 , 15:22 Reads:628