Takimi Halili – Žbogar: Zbatimi i plotë i MO-së kyç për Maqedoninë
 Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Festim Halili, sot (e hënë, 10.10.2016) priti në takim Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, z. Samuel Žbogar.

Bashkëpunimi i mëtejshëm ishte njëra ndër temat në fokus në takimin e parë të zëvendëskryeministrit Halili me ambasadorin Žbogar, duke përfshirë ndihmën financiare në krijimin e kapaciteteve administrative dhe politikave të mirëfillta për zgjidhjen e çështjeve të hapura që ndikojnë në raportet në mes bashkësive etnike.
Gjatë takimit, z. Halili e informoi për sfidat që po përballet gjatë realizimit të prioriteteve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe veçanërisht në këtë kohë të krizës së thellë politike. Ai gjithashtu potencoi se Maqedonia mbetet e angazhuar në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për anëtarësim të vendit në familjen e madhe evropiane.
Në këtë takim Ambasadori Žbogar vlerësoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit paraqet një ndër kushtet themelore për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Unionin Evropian. Ky proces ndihmon në krijimin e një shoqërie kohezive dhe gjithëpërfshirëse, si dhe në mirëmbajtjen e raporteve të mira ndërmjet bashkësive.
 
 
 
 
Me respekt,
 
Sektori për Marrëdhënie me opinionin
 
Monday, October 10, 2016  15:52    /    herë i lexuar  781